Kampionati Kombetar i 85-te Per te Rinj 2023

Në fundjavë, në mjediset e Stadiumit “Elbasan Arena” u zhvillua Kampionati i 85-të Kombëtar i Atletikës për të Rinj dhe të Reja. Duhet theksuar se kjo veprimtari ishte e para që zhvillohet nën drejtimin Presidentit të sapozgjedhur të Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi, i cili, ashtu sikundër kishte premtuar në intervistat dhënë më herët për mediat, ishte siguruar për organizimin e një kampionati dinjitoz dhe kjo u pa teksa e gjithë veprimtaria u karakterizua nga një tjetër nivel organizimi, bashkëkohor dhe me seriozitet.

Nuk mungoi në çeljen e kësaj veprimtari edhe prania e Presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli. Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i organizmit që qeveris lëvizjen olimpike shqiptare, i uroi punë të mbarë presidentit të ri të FSHA-së, duke shprehur besimin e tij në potencialin që këta sportistë kanë për të ardhmen. Në këtë Kampionat Kombëtar të kësaj grupmoshe morën pjesë klubet kryesore të atletikës në vend, si ai i Tiranës, Teutës, Vllaznisë, Skënderbeut, Mjeshtrisë Sportive, etj., që, të gjithë së bashku siguruan një pjesëmarrje masive prej mbi 300 te rinjsh e të rejash, që konkurruan me njëri-tjetrin 17 disiplina sportive. Gjithashtu mori pjesë jashtë gare dhe atleti Franko Burraj i cili nuk arriti të thyente dot rekordin kombëtar, duke u penguar dhe nga kushtet atmosferike jo të mira, por dha një sinjal pozitiv për garat e rëndësishme ndërkombëtare që presin ekipin e atletikës si European Team Championships.

Ndërkaq, sa i përket çmimeve individuale, Kolindo Kiri i Vllaznisë u shpall sportisti më i mirë për djem, ndërsa për femra, sportistja më e mirë ishte Redia Dauti per vajza. Duhet theksuar se, si kurrë më parë, Federata Shqiptare e Atletikës i shpërbleu me çmime motivuese financiare sportistët më të mire për meshkuj dhe femra.

Këtu do të gjeni rezultatet e këtij aktiviteti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *